Të dhëna të përgjithshme

Rimodelimi i hundës ose rinoplastika është ndërhyrja që mundëson ndryshimin e formës dhe të përmasave të hundës për t’i dhënë fytyrës një pamje më të rregullt dhe harmonike. Pas ndërhyrjes nuk ngelen cikatrice të dukshme sepse ato lokalizohen në brendësi të flegrave të hundës. Në rast se pacienti ka një vështirësi në frymëmarrje si pasojë e deviacionit të septumit nazal ose e hipertrofisë së konkave nazale, është i mundur korrigjimi i këtyre defekteve nëpërmjet septo-plastikës dhe/ose turbino-plastikës. Rinoplastika nuk është një ndërhyrje e dhimbshme. Lloji i anestezisë, koha e shtrimit dhe medikamentet që përdoren varen nga rasti në fjalë dhe nga teknika e përdorur.

Në cilin rast këshillohet

Rimodelimi i hundës këshillohet kur forma dhe përmasat e hundës i krijojnë pacientit një diskomfort psikologjik ose kur forma e hundës dhe funksionaliteti i frymëmarrjes janë prekur si pasojë e një traume, e një operacioni, etj. Nuk ka kufij moshe për t’iu nënshtruar rinoplastikës. Megjithatë është e nevojshme që strukturat kockore dhe kërcore të hundës të kenë arritur zhvillimin e plotë si dhe gjendja e përgjithshme e pacientit duhet të jetë e përshtatshme për të lejuar ndërhyrjen.
Gjatë vizitës, kirurgu do të shpjegojë me detaje teknikën kirurgjikale, llojin e anestezisë më të përshtatshme për rastin e pacientit, rezultatet e pritshme si dhe ndërlikimet e mundshme.

Rezultatet

Rezultatet janë të kënaqshme që në momentet e para, megjithatë ato duhet të gjykohen përfundimisht vetëm pas zhdukjes së ënjtjes dhe të ekimozave të cilat janë të zakonshme ditët e para pas operacionit. Ndërsa ekimozat (mavijosjet) largohen normalisht në dhjetë ditët e para, fryrja, ndjeshmëria e lëkurës dhe lëvizshmëria e hundës kërkojnë më tepër kohë, në varësi të pacientit dhe llojit të ndërhyrjes.
Shërimi i plotë arrihet në 4-6 muaj dhe në raste të veçanta edhe më tepër.

Përgatitja Pre-Operatore

  • Përpara ndërhyrjes duhet informuar kirurgu për marrjen e barnave dhe duhen ndërprerë barnat me përmbajtje Ac. Acetilsalicilik (Aspirinë, Vivin C, Kardiospir, Cemerit, Ascriptin, etj.).
  • Duhani duhet të ndërpritet të paktën një javë përpara ndërhyrjes.
  • Është e nevojshme të lajmërohet mjeku për shfaqjen e simptomave të ftohjes si dhimbja e grykës dhe kolla ose simptomat e lëkurës.
  • Pacienti duhet të ketë bërë dush, të heqë smaltin e thonjve ditën para operacionit dhe të mos marrë ushqime të paktën 8 orë përpara ndërhyrjes.

Operacione

Në bazë të kohës së ndërhyrjes dhe të teknikës së përdorur kemi rinoplastikë parësore ose dytësore, të hapur dhe të mbyllur, rinoplastikë të plotë, të pjesshme ose rinoseptoplastikë.


Bëhet fjalë për rinoplastikë parësore kur ndërhyrja bëhet për herë të parë dhe dytësore kur pacienti i është nënshtruar edhe më parë ndërhyrjes dhe është i nevojshëm korrigjimi i difekteve të mbetura ose difekteve të krijuara nga një ndërhyre e mëparshme. Në varësi të teknikës kemi rinoplastikë të mbyllur dhe të hapur. Zakonisht, rimodelimi ‘i mbyllur’ i hundës indikohet në rastet kur hunda nuk ka pësuar trauma apo ndërhyrje të mëparshme, kur hunda paraqet defekte të vogla ose devijime të lehta. Në këtë rast incizionet kryhen në brendësi të flegrave dhe shenjat që ngelen janë të padukshme. Rimodelimi ‘i hapur’ i hundës përdoret për të korrigjuar defektet e rëndësishme të majës, keqformimet e lindura (labiopalatoskiza) dhe në rastet kur hunda ka pësuar trauma ose ndërhyrje të mëparshme. Në rinoplastikën e hapur, incizioneve të brendshme i shtohet edhe një incizion në nivel të ndarëses së flegrave dhe kjo zakonisht nuk lë shenjë të dukshme. Rinoplastika mundëson zvogëlimin e përmasave të hundës duke rimodeluar majën e saj, duke eliminuar gungën osteo-kartilaginoze dhe duke korrigjuar këndin midis hundës dhe buzës. Jo rrallëherë, në vend të heqjes lind nevoja për shtimin e indeve, sidomos të atij kërcor. Ky i fundit normalisht merret nga kërci i septumit nazal, nga kërci i veshit ose nga kërcet brinjore. Kërci i marrë do të modelohet më pas në mënyrë që të fitohen disa grafte të formave të ndryshme të cilat do të vendosen sipas nevojës (ndërmjet kërceve trekëndore dhe septumit, midis kërceve alare, sipër kurrizit të hundës, etj.) Në këto raste parapëlqehet rruga e hapur sepse lejon një shikim më të mirë dhe një precizion më të lartë në fiksimin e grafteve kërcore. Kur pacienti ka një gjerësi të tepruar të flegrave është i mundur zvogëlimi i përmasave të tyre nëpërmjet incizioneve në bazën e hundës

Ndërhyrja për rimodelimin e hundës realizohet me anestezi të përgjithshme dhe me shtrim njëditor. Ndonjëherë korrigjimet mund të bëhen me anestezi lokale me sedacion.

Jeni të interesuar për ndonjë nga shërbimet tona?
Mos humb kohë dhe rezervo tani konsultën tënde!

Skip to toolbar