Abdominoplastika

Të dhëna të përgjithshme

Rimodelimi i barkut ose Abdominoplastika është një ndërhyrje kirurgjikale që përfshin heqjen e lëkurës dhe të dhjamit të tepërt nga zona e barkut. Realizimi i kësaj ndërhyrje mundëson përmirësimin e pamjes së murit abdominal duke riforcuar dhe tonifikuar në rastet e nevojshme muskujt e barkut, duke eliminuar lëkurën e tepërt dhe duke korrigjuar difektet e mundshme të pranishme në pjesën e poshtme të barkut. Ndërhyrja realizohet me anestezi të përgjithshme dhe nënkupton praninë e një cikatriksi përreth kërthizës dhe një tjetër në pjesën e poshtme të barkut, gjatësia e së cilës ndryshon në varësi të korrigjimit të kryer. Në disa raste, mund të jetë e mjaftueshme një mini-abdominoplastikë, ndërhyrje kjo më pak e ndërlikuar e cila nuk rezulton me shenja përreth kërthizës por vetëm me një shenjë të vogël në pjesën e poshtme të barkut. Kësaj ndërhyrje mund t’i shtohet një liposucion që mundëson korrigjimin e tepricës dhjamore në kuadrantet e sipërm të barkut. Rezultatet e abdominoplastikës janë të kënaqshme që në momentet e para pas operacionit.

Në cilin rast këshillohet

Rimodelimi i barkut këshillohet për pacientët e shëndetshëm (burra ose gra) të cilët paraqesin një tepricë lëkure ose indi dhjamor në zonën e barkut dhe përmirësimi nuk mund të arrihet me dietë dhe ushtrime fizike. Mund të përfitojnë nga kjo ndërhyrje edhe pacientët me elasticitet të ulur të lëkurës, për të cilët nuk është i këshilluar liposucioni abdominal pasi kjo do të sillte shtimin e palosjeve të lëkurës. Gjatë ndërhyrjes mund gjithashtu të kryhen korrigjime të patologjive të ndryshme të murit abdominal të tilla si herniet, laparocela apo largimi i muskujve rectus të barkut. Probleme të tilla janë mjaft të shpeshta në pacientët që kanë kryer më parë ndërhyrje kirurgjikale të barkut ose në gratë që kanë lindur.

Rezultatet

Abdominoplastika mundëson rezultate mjaft të kënaqshme që prej fillimit. Palat zhduken, barku paraqitet i sheshtë dhe teprica dhjamore dhe e lëkurës nuk janë më të dukshme. Vendet e incizionit duhet të masazhohen dhe në muajt që vijojnë shenjat do të bëhen gjithnjë e më pak të dukshme. Ndonjëherë mund të nevojiten ndërhyrje të vogla korrigjuese me anestezi lokale në nivel të pjesëve anësore të cikatrikseve, në mënyrë që të arrihet rezultati më i mirë estetik i mundshëm. Është shumë e rëndësishme që pacienti të kuptojë se një gjykim përfundimtar i rezultatit të operacionit mund të bëhet vetëm pasi zona operatore të jetë stabilizuar plotësisht, gjë që ndodh rreth 3-6 muaj pas ndërhyrjes.

Operacioni

Rimodelimi i barkut kryhet në sallën e operacionit me anestezi të përgjithshme. Ndërhyrja parashikon kryerjen e një incizioni në nivelin midis kreshtave iliake të përparshme duke kaluar në zonën pubike. Në rastet e nevojshme, do të korrigjohet përbërësi muskulor dhe prania e mundshme e hernieve, do të ripozicionohet kërthiza dhe do të hiqet lëkura dhe dhjami i tepërt. Incizioni i kryer do të rezultojë me një shenjë në formë gjysmëhëne e cila do të ngelet e fshehur nga veshjet e brendshme. Vendosja e dy drenazheve është e nevojshme dhe rekomandohet për të parandaluar formimin e qeseve me lëng seroz ose me gjak. Në fund të ndërhyrjes aplikohet një mjekim kompresiv i cili do të zëvendësohet nga korseja elastike të cilën pacienti do ta veshë në vazhdim përgjatë muajit të ardhshëm.

Pas Operacionit

Pas ndërhyrjes për rimodelimin e barkut pacienti duhet të zbatojë me përpikmëri këshillat e dhëna nga kirurgu. Pacienti duhet të pushojë për 24/48 orë dhe mund të bëjë ecje të shkurtra duke mbajtur trupin lehtësisht të përkulur para për të zvogëluar tensionin mbi plagën abdominale. Pacienti duhet të veshë një korse elastike pa e hequr deri në marrjen e indikacioneve të reja. Këshillohet eliminimi i duhanit për 3 javë të tjera dhe fjetja ose çlodhja në pozicionin shtrirë me kurriz. Pacienti duhet të pushojë për 3-4 javë dhe gjatë kësaj kohe nuk këshillohen aktivitetet sportive apo aktiviteti seksual. Drejtimi i automjetit rifillohet vetëm me miratimin e kirurgut dhe jo para se të kenë kaluar dy javë. Dushi apo banjot janë të lejueshme vetëm pas heqjes së fijeve. Këshillohet që pacienti t’i shmanget ekspozimit në diell dhe rrezeve ultravjollcë gjatë muajit të parë pas operacionit dhe përgjatë vitit të parë këshillohet aplikimi i mbrojtësve solarë SPF 50+ mbi vendet e incizionit. Mjekimi i plagëve dhe heqja e fijeve do të bëhen sipas indikacioneve të kirurgut dhe mund të ndryshojnë nga një pacient në tjetrin. Si rregull, fijet mund të hiqen pas 15 ditësh.

Jeni të interesuar për ndonjë nga shërbimet tona?
Mos humb kohë dhe rezervo tani konsultën tënde!

Skip to toolbar