Kirurgjia rikonstruktive

Të dhëna të përgjithshme

Rindërtimi i gjirit përfaqëson një kapitull të rëndësishëm në kirurgjinë plastike rikonstruktive. Sot, rindërtimi i gjirit në vendet e zhvilluara është një procedurë rutinë me anë të së cilës ne mund të reduktojmë pasojat fizike dhe psikologjike të trajtimit kirurgjikal të kancerit të gjirit dhe të rikthejmë integritetin e plotë trupor të pacienteve.

Rindërtimi i gjirit pas mastektomisë

Humbja e gjirit përfaqëson për çdo grua një përvojë të rëndë e cila do të ketë pasoja të rëndësishme në shumë fusha të jetës së saj. Në dhjetëvjeçarët e fundit janë bërë përparime të rëndësishme në mënyrën e trajtimit të kancerit të gjirit: Kërkimet dhe studimet e shumta kanë vërtetuar pasojat e rënda të ndërhyrjeve radikale në të shkuarën. Ndërhyrjet më konservative kanë zvogëluar dëmet post-kirurgjikale dhe e kanë bërë më të lehtë mundësinë e rindërtimit të gjirit.

Si kryhet ndërhyrja

Ekziston një shumëllojshmëri teknikash dhe variante për rindërtimin e gjirit. Për thjeshtësi, mund t’i ndajmë metodat e rindërtimit në dy grupe:

a)Rindërtimi nëpërmjet zgjeruesve indorë e cila është metoda më e përdorur dhe ndahet në 5 faza:

  • Faza e parë: vendosja e zgjeruesit të gjirit.
  • Faza e dytë: mbushja e zgjeruesit.
  • Faza e tretë: zëvendësimi i zgjeruesit me protezë mamare përfundimtare.
  • Faza e katërt: modelimi dhe simetrizimi i gjirit të shëndoshë.
  • Faza e pestë: rindërtimi i thithës dhe areolës

b) Rindërtimi nëpërmjet lembove muskulo-kutane

Në rastet kur mastektomia ka qenë shumë gjymtuese (humbje e pjesshme ose e plotë e muskulit pektoral) nuk është i mundur implantimi i drejtpërdrejtë i zgjeruesve ose i protezës. Në këto raste duhet të përdoren teknika alternative të cilat bëjnë transferimin masave të mëdha indore nga zona më të largëta. Një nga këto metoda përdor muskulin e madh të shpinës i cili rrotullohet me ose pa lëkurë nga regjioni i kurrizit deri në atë të gjirit. Trashësia e kësaj lemboje muskulo-kutane është e mjaftueshme për vendosjen e një proteze përfundimtare me siguri të plotë. Një metodë tjetër merr parasysh mundësinë e rindërtimi të gjirit në mënyrë të drejtpërdrejtë me indet e pacientes pa nevojën e protezës ose të zgjeruesit indor. Kjo metodë konsiston në transferimin e një lemboje të përbërë nga ind muskulor dhe lëkurë, i quajtur tram-flap i cili, nga zona poshtë kërthizës zhvendoset deri në zonën e gjirit. Kjo lembo ka trashësi dhe konsistencë të mjaftueshme për t’i dhënë gjirit formën e mëparshme. Ashtu si në çdo ndërhyrje tjetër kirurgjikale, është e nevojshme të pritet shërimi dhe zgjidhja e pasojave që lidhen me pezmatimin akut, veçanërisht me edemën ose ënjtjen të cilat ndryshojnë nga rasti në rast dhe varen nga përgjigja dhe ndjeshmëria e secilës paciente. Për këto, pacientja duhet të jetë sqaruar gjatë konsultave të mëparshme në mënyrë që të shmanget frika dhe të kuptohet që pasojat fillestare janë pjesë normale dhe e pashmangshme e periudhës së hershme post-operatore. Në çdo rast, prania e tyre nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë në rezultatin përfundimtar.
I gjithë cikli rikonstruktiv zhvillohet në harkun e rreth 10-12 muajsh, duke marrë parasysh edhe kohën që kërkon kimioterapia ose radioterapia.

Pas Operacionit

Në periudhën post-operatore duhet të vazhdohet me terapinë antibiotike dhe anti-inflamatorët e përshkruar nga kirurgu për javën e ardhshme. Një ose dy ditë pas kësaj, hiqen fijet dhe drenazhet. Fijet e jashtme janë materiale të biodegradueshme dhe nuk duhet të hiqen. Është e nevojshme veshja e fashos elastike për disa javë. Aktivitetet e përditshme mund të rifillohen pas disa ditësh; aktiviteti fizik i lehtë mund të fillohet gradualisht duke filluar nga java e dytë pas ndërhyrjes.


Jeni të interesuar për shërbimet pranë klinikës Diva ?
Mos humb kohë dhe rezervo tani konsultën tënde!

Mos humb kohë dhe rezervo tani konsultën tënde!

Skip to toolbar