Lifting i gjoksit

Të dhëna të përgjithshme

Ngritja e gjirit është një ndërhyrje kirurgjikale e cila ka për qëllim ngritjen e gjinjve të lëshuar. Rënia e gjirit ose ptoza mamare, i detyrohet një humbje progresive të tonicitetit të sistemit suspensor të gjinjve. Me kalimin e moshës, ndryshimet në peshë, shtatzënitë dhe ushqyerja me gji pasohen nga një rënie e natyrshme dhe progresive e gjirit, e cila mund të shoqërohet ose jo nga një zvogëlim i vëllimit të tij. Lëkura bëhet e hollë dhe humbet elasticitetin, indi dhjamor humbet kompaktësinë, gjëndra zvogëlohet në vëllim, ligamentet e Kuperit dobësohen dhe gjiri humbet aderencën me aponeurozën muskulare. E gjithë kjo çon në zbritjen poshtë të gjinjve. Ndërhyrja për ngritjen e gjirit mundëson rimodelimin e parenkimës së tij, ngritjen në pozicionin e duhur të kompleksit thithë-areolë dhe eliminimin e lëkurës së tepërt.

Në cilin rast këshillohet

Ngritja e gjirit këshillohet në rastet me gjinj të lëshuar ose të zbrazët. Megjithatë teknika kirurgjikale ndryshon në varësi të pacientes: nëse gjiri ka pësuar vetëm një rënie të lehtë në vëllim, mund të jetë e mjaftueshme vendosja e një proteze për t’i dhënë gjirit formën konike pa kaluar në ngritjen e gjirit. Ndërhyrja gjen zbatimin e saj standard në rastin kur gjëndra mamare ka zbritur poshtë dhe mbështetet në kraharor dhe kompleksi thithë-areolë gjendet poshtë brazdës inframamare. Normalisht lartësia e thithës pozicionohet përgjatë një vije imagjinare horizontale që bashkon mesin e krahëve dhe gjendet në të njëjtën lartësi me brazdën inframamare. Në rastin e një ptoze areolare deri 3-4 cm mund të realizohet ngritja periareolare. Nëse ptoza është mbi 4 cm, indikohet ngritja vertikale, e cila shoqërohet me incizion periareolar dhe vertikal. Vetëm në rastin kur zbritja e gjirit është më e madhe se 8 cm këshillohet ngritja me incizion në formën e gërmës T të përmbysur ose në formën e J-së.

Rezultatet

Pas ndërhyrjes mbeten në mënyrë të pashmangshme shenja në lëkurë me shtrirje të ndryshme, në varësi të teknikës së zbatuar: në rastet me ptozë minimale, cikatricet do të kufizohen në zonën periareolare. Nëse zbritja e gjirit është më e theksuar, cikatricet mund të shtrihen edhe në drejtimin vertikal poshtë areolës, të cilat në rastet më ekstreme mund të marrin formën e gërmës T të përmbysur me një shtrirje transversale në brazdën inframamare. Për më tepër, në rastin kur rënia e gjirit shoqërohet me një zvogëlim të madhësisë së tij, mund të aplikohet vendosja e një proteze zakonisht me përmasa të vogla, e cila ndihmon në rivendosjen e vëllimit të gjirit dhe reduktimin e shtrirjes së cikatriceve. Smaljaturat e lëkurës do të reduktohen në shtrirje dhe në numër si pasojë e heqjes së lëkurës dhe do të përmirësohen për efekt të tendosjes së gjirit të rimodeluar por nuk mund të zhduken asnjëherë plotësisht. Është e rëndësishme të nënvizohet se një lëkurë jo-elastike dhe me strie e bën më pak të qëndrueshëm rezultatin e ndërhyrjes. Menjëherë pas operacionit, gjinjtë do të jenë më pak të lëvizshëm, shumë të ngritur, të fryrë, me palosje përgjatë cikatriceve: në harkun e 30 ditëve ënjtja post-operative do të zbutet në mënyrë progresive, palat do të sheshohen dhe gjinjtë do të marrin një konsistencë dhe formë natyrale brenda 3-4 muajve. Cikatricet do të konsiderohen të qëndrueshme rreth një vit pas operacionit.

Përgatitja Pre-Operatore:

Përpara çdo ndërhyrje kirurgjikale është e nevojshme kryerja e një seri analizash pre-operatore: analizat e gjakut, analiza e urinës, EKG, mamografia dhe/ose ekografia e gjirit. Është gjithashtu e rëndësishme të informohet kirurgu për marrjen e barnave, sidomos kortizonikët, kontraceptivët, barnat antihipertensive, atikoagulantët, antidiabetikët, antibiotikët, qetësuesit, gjumësjellësit. Duhet ndërprerë marrja e barnave me përmbajtje të Ac. Acetilsalicilik (p.sh. aspirina) 10 ditë përpara ndërhyrjes dhe duhet të eliminohet duhani një javë përpara saj. Në rast se ditët përpara operacionit shfaqen ethe, kollë, ftohje ose dhimbje gryke është i rëndësishëm raportimi i tyre i menjëhershëm tek mjeku. Pacientja duhet të sigurojë një reçipetë elastike me përmasa të përshtatshme dhe në momentin e shtrimit duhet të vishen rroba me hapje nga përpara. Këshillohet një dush mbrëmjen para operacionit, heqja e zmaltit nga thonjtë dhe depilimi i sqetullave të paktën dy ditë para ndërhyrjes. Është mjaft e rëndësishme ndërprerja e ushqimeve prej mesnatës së mbrëmjes para operimit dhe ndërprerja e lëngjeve të paktën 4 orë para ndërhyrjes.

Operacioni

Ndërhyrja mund të realizohet me anestezi lokale dhe sedacion vetëm në rastet e korrigjimeve të vogla, ndërkohë që si rregull kryhet me anestezi të përgjithshme. Ashtu si lloji i anestezisë, edhe zgjedhja e teknikës kirurgjikale bëhet në varësi të shkallës së lëshimit të gjinjve. Si në rastin kur kërkohet ngritja periareolare, ashtu edhe kur nevojitet teknika me incizion vertikal, ndërhyrja do të ketë si rezultat rimodelimin e parenkimës së gjirit, i cili do të marrë një formë, vëllim dhe projeksion të ri; rikthimin e kompleksit thithë-areolë në lartësinë e duhur dhe heqjen e lëkurës së tepërt. Për t’i rikthyer vëllimin një gjiri të rënë dhe të zbrazur pa përdorur implant, një teknikë e veçantë e ngritjes së gjirit është ajo me auto-protezë, gjatë së cilës shfrytëzohet parenkima e polit gjëndëror të poshtëm për shtimin e projeksionit të polit të sipërm të gjirit. Në fazat e fundit të ndërhyrjes, mund të jetë e nevojshme vendosja e disa tubave drenazhi që e sjellin gjakun jashtë duke e ulur kështu rrezikun e grumbullimit hematik në brendësi të gjinjve.

Pas Operacionit

Në përfundim të ndërhyrjes aplikohet në kraharor një medikament tezo-elastik i cili kryen funksion mbështetës për gjinjtë. Një medikament i tillë do të ndryshohet në momentin e heqjes së drenave: në këtë fazë këshillohet veshja e një reçipete elastike-mbajtëse, e cila do të mbahet për të paktën një muaj pas operacionit. Në momentin e daljes nga spitali do të përshkruhet terapia farmakologjike post-operatore si dhe rregullat që duhen ndjekur. Këshillohet çlodhja e krahëve për të paktën 15 ditë dhe shmangia e aktivitetit fizik intensiv për 4-6 javë. Këshillohet shmangia nga rrezet ultravjollcë (dielli, llambat me ultravjollcë) për të paktën 2 muaj pas ndërhyrjes.

Jeni të interesuar për ndonjë nga shërbimet tona?
Mos humb kohë dhe rezervo tani konsultën tënde!

Skip to toolbar