Të dhëna të përgjithshme

Otoplastika ose rimodelimi i veshëve është një ndërhyrje që mundëson ripozicionimin korrekt të veshëve të dalë përpara, duke krijuar kështu një morfologji të pëlqyeshme të tyre pa e prekur dëgjimin. Ndërhyrja mund të realizohet në njërin ose në të dy veshët në varësi të difektit.
Cikatricet janë më shpesh të fshehura në brazdën retro-aurikulare edhe pse në disa raste, për korrigjimin e difekteve të veçanta mund të jetë e nevojshme të shtohen disa incizione me cikatrice pak të dukshme edhe në pjesën e përparme të llapës së veshit.

Në cilin rast këshillohet

Ndërhyrja kryhet në rastet kur veshët paraqesin një projeksion të tepruar përpara, shpesh të shoqëruar me mungesën e palosjes së anthelix. Mund të jetë e nevojshme të ndërhyhet në të dy veshët ose vetëm në njërin dhe teknika kirurgjikale mund të ndryshojë në të dy anët. Ndërhyrja mund të kryhet edhe tek fëmijët pas moshës 4 vjeç, për të reduktuar parehatinë e tyre në moshën shkollore.

Rezultatet

Rezultatet e rimodelimit të veshit janë menjëherë të dukshme pavarësisht fryrjes post-operatore dhe pacienti është i kënaqur me pamjen e tij.
Korrigjimi i fituar është i qëndrueshëm në vite dhe shumë rrallë mund të jetë e nevojshme një ndërhyrje për eleminimin e papërsosmërive të mbetura. Në raste të tilla pritet që të kalojnë të paktën 3 muaj.

Përgatitja Pre-Operatore

Para se të realizohet otoplastika, është e domosdoshme që pacienti t’i nënshtrohet një vizite mjekësore të hollësishme dhe ekzaminimeve standarde. Këshillohet ndërprerja e barnave antiagregante ose holluesit e gjakut të tillë si aspirina dhe eliminimi i duhanit të paktën dy javë përpara operacionit. Këshillohet larja e kujdesshme e flokëve ditën përpara operacionit.
Ditën e ndërhyrjes pacienti duhet të jetë pa ngrënë për të paktën 8 orë (në rast se ndërhyrja do të bëhet me narkozë), pa zmalt në thonj dhe me fashon elastike për veshët të këshilluar nga kirurgu për periudhën post-operatore.

Operacioni

Ndërhyrja në të dy veshët mund të zgjasë rreth 120 minuta dhe realizohet me anestezi lokale me aplikimin sipas rastit të një medikamenti sedativ me rrugë endovenoze për qetësimin e pacientit. Zakonisht procedohet me heqjen e një cope të vogël lëkure nga pjesa e pasme e veshit, më pas veshi rimodelohet dhe ripozicionohet kërci retroaurikular. Cikatricet janë të fshehura në brazdën retroaurikulare edhe pse në disa raste mund të shtohen disa cikatrice shumë të vogla në pjesën e përparshme.

Pas Operacionit

Në përfundim të ndërhyrjes, kirurgu vendos një mjekim kompresiv në formë çallme që pacienti duhet ta mbajë për disa ditë deri në heqjen e fijeve, pas rreth 10 ditësh. Në ecurinë post-operatore, pacienti mund të ketë dhimbje të lehta të cilat qetësohen me lehtësi nga analgjezikët e zakonshëm. Larja e flokëve me ujë të vakët mund të bëhet pas ditës së katërt, me kujdes të veçantë për të mos lagur cikatricen. Pas heqjes së fijeve, pacienti gjatë natës duhet të përdorë një fasho elastike për 30 ditë e cila do të sigurojë një mbrojtje më të mirë të veshëve gjatë gjumit. Pas dy javëve mund të rinisen aktivitetet sportive duke i kushtuar kujdes mbrojtjes së veshëve nga traumat. Këshillohet që për një muaj të mos vishen syzet me skelet të rëndë dhe të shmanget ekspozimi në diell apo në nxehtësi të madhe.

Jeni të interesuar për ndonjë nga shërbimet tona?
Mos humb kohë dhe rezervo tani konsultën tënde!

WhatsApp WhatsApp