Zmadhim i gjoksit

Të dhëna të përgjithshme

Zmadhimi i gjirit është një ndërhyrje që mundëson përmirësimin e harmonisë trupore të femrës nëpërmjet rritjes së vëllimit të gjirit. Nga kjo ndërhyrje mund të përfitojnë pacientet të cilat paraqesin një gji lehtësisht të lëshuar, të vogël ose të pazhvilluar.
Falë vendosjes së protezave të posaçme në regjonin mamar mund të arrihet zmadhimi i vëllimit dhe ndryshimi i formës së gjirit sipas kërkesës së pacientes. Proteza mund të vendoset nën gjëndrën mamare (protezë sub-glandulare), pas fascies së muskulit pektoral (protezë retro- fasciale) ose nën muskulin pektoral (protezë retro-pektorale) dhe rruga e vendosjes (areola, sqetulla ose pjesa e poshtme e gjirit) mund të ndryshojë në varësi të faktorëve të ndryshëm. Ekzistojnë mundësi të ndryshme edhe për llojin e anestezisë apo të klinikës dhe këto varen nga rasti në fjalë, nga teknika e përdorur dhe nga preferencat e kirurgut.

Në cilin rast këshillohet

Zmadhimi i gjirit mund t’u këshillohet grave në moshë madhore që janë të pakënaqura me pamjen e gjinjve të tyre, të konsideruar shumë të vegjël ose të pazhvilluar.
Ditët e sotme, zmadhimi i gjirit është një nga ndërhyrjet plastike më të përhapura në botë: Kjo kërkesë gjithnjë në rritje vjen nga dëshira e pacienteve për të rritur vëllimin ose për të ndryshuar formën e gjirit për arsye estetike, si pasojë e keqformimeve të lindura ose si rezultat i ndërhyrjeve gjymtuese gjatë mjekimit të neoplazive të gjirit.

Rezultatet

Rezultati i mamoplastikës zmadhuese është i dukshëm menjëherë pas operacionit. Fillimisht do të vërehet një ënjtje e përhapur dhe një ndjenjë e lehtë rënduese në kraharor por në harkun e disa javëve pacientja mund të admirojë plotësisht formën përfundimtare të gjirit. Që rezultatet të jenë jetëgjata është mjaft e rëndësishme që pacientja e operuar të ruajë peshën ideale pasi një ndryshim eventual i saj do të reflektohej edhe tek gjinjtë.

Përgatitja Pre-Operatore:

Për realizimin e ndërhyrjes është e domosdoshme që pacientja t’i nënshtrohet një vizite të hollësishme mjekësore dhe ekzaminimeve standarde pre-operative: elektrokardiogramës, radiografisë së gjoksit dhe analizave hemato-kimike të gjakut. Këtyre mund t’u shtohen ekografia e gjirit dhe sipas rastit edhe mamografia. Pacientja duhet të jetë e shëndetshme dhe në një gjendje të mirë të përgjithshme. Në mënyrë që të minimizohet rreziku i hemorragjisë, vështirësia në shërimin e plagëve ose probleme të tjera si flebitet dhe trombozat venoze, këshillohet ndërprerja e barnave për hollimin e gjakut si aspirina, ndërprerja e duhanit (të paktën dy javë para operacionit) dhe ndërprerja e përdorimit të kontraceptivëve hormonalë (një muaj para operacionit). Pacientja duhet t’i raportojë menjëherë kirurgut të saj shfaqjen e simptomave të ndonjë sëmundje, çka mund të sillte nevojën e shtyrjes së operacionit (ftohje, dhimbje gryke, kollë, sëmundje lëkure të shfaqura kohët e fundit, etj.). Ditën e ndërhyrjes pacientja nuk duhet të ketë ngrënë prej të paktën tetë orësh, nuk duhet të ketë zmalt në thonjtë e duarve dhe këmbëve dhe duhet të veshë një reçipetë elastike të këshilluar nga kirurgu për periudhën post-operatore.

Operacioni

Zmadhimi i gjirit është një ndërhyrje që mund të realizohet me anestezi lokale, me sedacion të thellë ose me anestezi të përgjithshme. Zgjedhja bëhet në varësi të preferencave të pacientes, gjendjes shëndetësore të saj si dhe të teknikës kirurgjikale. Operacioni mund të zgjasë nga 50 minuta deri në 2 orë. Aksesi kirurgjikal mund të bëhet nëpërmjet brazdës inframamare, sqetullës ose areolës dhe kjo lejon krijimin e xhepit që do të mbajë protezën në planin retro-gladular, retro-fascial ose retro-muskular.
Aktualisht ekziston një shumëllojshmëri implantesh silikoni: proteza të rrumbullakëta ose proteza me formë anatomike, përmasat e të cilave mund të ndryshojnë në të tria planet: gjerësi, gjatësi dhe projeksion. Edhe përbërja e silikonit që mbush protezat mund të ndryshojë: ky mund të jetë pak a shumë kompakt ose më i butë në varësi të implantit. Secila nga këto ndryshore duhet të merret në konsideratë nga kirurgu në momentin e vizitës pre-operatore në mënyrë që të zgjidhet proteza që përshtatet më mirë si me anatominë e gjinjve, ashtu edhe me dëshirat e pacientes. Pas vendosjes së protezave, vendosen dy tuba drenazhi të cilët hiqen pas 24/48 orësh në varësi të ecurisë klinike. Më pas vazhdohet me verifikimin e simetrisë së gjinjve, të protezave dhe të thithave.
Në secilën nga këto faza kirurgu i kushton vëmendje të veçantë ruajtjes së integritetit të kanaleve të qumështit në mënyrë që ushqyerja me gji të mos dëmtohet. Ndërhyrja përfundon me qepjen e rrugës së aksesit kirurgjikal, mjekimin dhe bandazhin i cili duhet të jetë elastik-kompresiv në mënyrë që të parandalohet edema post-kirurgjikale.

Pas Operacionit

Pas ndërhyrjes pacientja duhet të ndjekë me përpikmëri këshillat e dhëna nga kirurgu.

  • Pas 24 orëve, në varësi të ecurisë klinike, do të hiqen drenazhet dhe do të kontrollohet mjekimi.
  • Në vazhdim, pacientja do të kryejë një rikontroll pas rreth 7 ditësh dhe fijet mund të hiqen pas 7-10 ditësh përveç rasteve të ndërlikuara.
  • Pacientja duhet të veshë në mënyrë të vazhdueshme për 4 javë një reçipetë sportive, pa pjesë metalike dhe të përshtatur me formën dhe madhësinë e gjirit. 15 ditë pas operacionit, me indikacion të kirurgut, mund të vazhdohet me kryerjen e masazheve që do të përmirësojnë lëvizshmërinë dhe pamjen natyrale të gjinjve.
  • Gjatë muajit të parë këshillohet zvogëlimi i aktivitetit të muskujve të gjoksit (nuk duhen sforcuar krahët për ngritjen nga krevati, nuk duhen ngritur pesha të mëdha apo të kryhet aktivitet sportiv, etj.), duhet ndërprerë duhani, duhet shmangur ekspozimi direkt në diell ose ndaj nxehtësisë së madhe (p.sh. sauna, dhoma me ultravjollcë) dhe nuk këshillohet fjetja në anën e barkut.

Jeni të interesuar për ndonjë nga shërbimet tona?
Mos humb kohë dhe rezervo tani konsultën tënde!

Skip to toolbar